Le t’ia kthejmë fisnikërinë Dibrës me Fisnikun

Op-Ed / Opinioni:

Rezon Karpuzi shkruan:

Një proverbë arabe thotë: “Nuk e njeh një njeri përderisa të kesh punuar me të, të kesh udhëtuar me të ose të kesh jetuar me të.” Kjo thënie më rikthehet shpesh ndër mend kur mendoj për përvojën time profesionale dhe njerëzit që më kanë formuar.

Pas diplomimit në Fakultetin e Arteve në vitin 2019, u ktheva në Dibër dhe, ndërsa punoja në një kompani të thjeshtë, kërkoja mundësi për të praktikuar atë që kisha studiuar. Ishte Fisniku ai që më hapi dyert dhe më kërkoi të ndihmoja me dizajnin e një produkti që po zhvillonte. Kështu nisi bashkëpunimi ynë, që zgjati katër vite dhe më dha mundësi të udhëtoj dhe të marr pjesë në konferenca pune, duke përmbushur dy nga tre kushtet e proverbës që përmenda më lart.

Sot nuk jetoj më në Dibër për shkak të punës, por ëndrrat e mia për këtë qytet janë të gjalla. Përvoja që kam fituar pranë Fisnikut ka qenë thelbësore për karrierën time si dizajner me kohë të plotë. Kur u bë zyrtare kandidatura e tij për kryetar të Dibrës, i dërgova një mesazh të thjeshtë: “Nëse ti bëhesh kryetar, unë do kthehem në Dibër.”

Pak rëndësi ka nëse unë do të kthehem apo jo. Ajo që ka rëndësi është që Fisniku të jetë udhëheqësi i radhës i qytetit tonë. Sot, më shumë se kurrë, ndihem i obliguar të flas, jo për politikë, por për një vizionar që e njoh personalisht, një person të edukuar dhe të dedikuar për Dibrën.

Le të mbështesim atë që ka treguar fisnikëri dhe përkushtim. Le t’ia kthejmë fisnikërinë Dibrës me Fisnikun!

TË NDRYSHME

TË FUNDIT