SHKUP, 13/02/2026 – Posta e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se është duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje që do të përshpejtojë formalitetet doganore dhe përpunimin e dërgesave, pas vonesave të shkaktuara nga ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Sipas ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi më 18 dhjetor të vitit të kaluar, është hequr lirimi nga TVSH-ja për dërgesat e porositura online me vlerë deri në 22 euro. Ky ndryshim obligon Postën që të gjitha dërgesat t’i nënshtrohen kontrollit doganor për përcaktimin e taksës, proces i cili ka krijuar mbingarkesë në përpunimin e pakove.
Nga Posta e Maqedonisë së Veriut bëjnë me dije se janë në koordinim me Drejtorinë e Doganave për të optimizuar procedurat, me qëllim që dërgesat të arrijnë te përdoruesit në afate sa më të shkurta.
Argumentet e Ministrisë së Financave:
-
Mbrojtja e tregut vendas: Rreth 4 milionë denarë në muaj, që më parë shkonin drejt platformave të huaja, pritet të riorientohen drejt ekonomisë vendase.
-
Lufta kundër ekonomisë gri: Sistemi i ri synon të parandalojë keqpërdorimet e mëparshme, ku mallrat e importuara pa TVSH shiteshin më pas në tregun e brendshëm.
-
Rritja ekonomike: Sipas autoriteteve, këto mjete do të ndihmojnë në rritjen e kompanive lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Aktualisht, në regjistrin e Agjencisë së Postave janë të evidentuara 29 kompani, ku Posta e Maqedonisë së Veriut mbetet bartësja kryesore e licencës për ofrimin e shërbimit universal.


