TETOVË / PRISHTINË – Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar në Prishtinë me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), me ftesë të kryetarit të këtij subjekti politik, njëherësh Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kasami ka vlerësuar lart kontributin e LVV-së në skenën politike, duke e cilësuar këtë përvjetor si dëshmi të një angazhimi të palodhshëm në shërbim të qytetarëve.
“Ky përvjetor shënon një rrugëtim të gjatë të angazhimit politik, qytetar dhe institucional, të ndërtuar mbi parimet e demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve,” ka deklaruar Kasami.
Kreu i Lëvizjes Besa ka përcjellë urimet e tij më të sinqerta për strukturat dhe përkrahësit e Vetëvendosjes, duke u uruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre politik.
“Urime të gjithë anëtarëve, aktivistëve dhe mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje për këtë jubile të rëndësishëm,” përfundoi Kasami.
Pjesëmarrja e Kasamit në këtë përvjetor rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë dhe koordinimin e vazhdueshëm politik mes Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Vetëvendosje.


