Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar mbrëmë një takim me banorët e fshatit Koroshisht, ku janë diskutuar problemet më urgjente që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.
Në qendër të diskutimit ishin mungesa e ujit të pijshëm, rrjeti i kanalizimit dhe gjendja e infrastrukturës rrugore, që sipas banorëve, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Një ndër shqetësimet e theksuara ishte edhe problemi i ngricës në hyrje të qytetit, te ura e Morovishtit, e cila prej vitesh paraqet rrezik për qarkullimin e automjeteve dhe pengesë serioze për banorët.
Banorët po ashtu ngritën çështjen e deponisë së qytetit, që prej kohësh mbetet problem i hapur mjedisor dhe shëndetësor për gjithë zonën. Mendi Qyra u zotua se mbyllja dhe menaxhimi i deponisë në mënyrë afatgjatë është pjesë e planit të tij konkret për një Strugë më të pastër dhe më të shëndetshme.
Në takim u trajtua edhe problemi i mungesës së çerdheve, ku aktualisht rreth 400 fëmijë mbeten në lista pritjeje për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme. Qyra tha se në programin e tij parashikohet zgjerimi i çerdheve ekzistuese dhe hapja e të rejave, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa përkujdesje.
“Struga ka nevojë për menaxhim të përgjegjshëm, për punë me plan dhe rezultate konkrete. Problemet e qytetarëve janë reale dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme – jo premtime të rreme. Programi ynë është i bazuar në nevojat e tyre, jo në interesat e politikës,” u shpreh Qyra.
Takimi në Koroshisht ishte pjesë e turit të tij takimeve me qytetarët, përmes të cilave Qyra po prezanton platformën e tij për një Strugë të zhvilluar, funksionale dhe me dinjitet për çdo banor.