Të gjitha procedurat janë realizuar nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe në përputhje me rregullat strikte të European Bank for Reconstruction and Development, që përbën një garanci shtesë për ligjshmëri, transparencë dhe përputhshmëri ndërkombëtare.
Përzgjedhja bëhet sipas procedurave të BERZH. Në këtë proces, ne si investitor kemi vetëm një rol: të vlerësojmë referencat dhe performancat e kompanive, pa asnjë subjektivizëm apo ndikim. Fatmirësisht, në këtë projekt kemi një kompani kroate të dëshmuar, si në rajon ashtu edhe në Evropë e më gjerë, që përbën garanci për realizimin e suksesshëm të projektit.
Në kuadër të procedurës së re, kompania e përzgjedhur Dalekovod d.d., si bartëse e konsorciumit, përfaqëson një nga subjektet më të njohura rajonale dhe evropiane në fushën e infrastrukturës elektroenergjetike.
Bëhet fjalë për një kompani e cila:
- është themeluar në vitin 1949 dhe ka përvojë shumëvjeçare në ndërtimin e linjave të tensionit të lartë;
- është e listuar në bursën e Zagrebit dhe funksionon sipas standardeve më të larta të qeverisjes korporative;
- është pjesë e grupacionit KONČAR Group, që siguron stabilitet shtesë financiar dhe teknologjik;
- realizon qarkullim vjetor prej qindra milionë eurosh dhe shënon rritje të vazhdueshme;
Kompania ka realizuar projekte në më shumë se 80 shtete, përfshirë:
- vendet e Bashkimit Evropian (Gjermani, Slloveni, Kroaci),
- Skandinavinë (Norvegji, Suedi),
- Ballkanin Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovinë).
Në veprimtarinë e saj, Dalekovod bashkëpunon me operatorët kryesorë evropianë dhe botërorë të sistemeve të transmetimit, ndër të cilët:
- Statnett nga Norvegjia,
- Svenska Kraftnät nga Suedia,
- TenneT nga Gjermania,
- National Grid plc nga Mbretëria e Bashkuar,
- OST nga Shqipëria.
Për më tepër, kompania disponon një rrjet të zhvilluar nënkontraktorësh dhe partnerësh nga disa shtete, përfshirë:
- vendet e Ballkanit (Kroaci, Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedonia e Veriut),
- vendet e Bashkimit Evropian (Gjermani, Austri, Itali, Francë),
- tregjet skandinave, ku operon sipas standardeve më të larta teknike.
Ky model pune siguron një kombinim të ekspertizës lokale, përvojës rajonale dhe standardeve teknologjike evropiane.
SHA MEPSO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zbatimit transparent, ligjor dhe të përgjegjshëm të të gjitha procedurave, me qëllimin përfundimtar – realizimin e suksesshëm dhe në kohë të projektit për interkoneksion elektroenergjetik me Republikën e Shqipërisë.
Përzgjedhja e një kontraktori të njohur dhe të dëshmuar, që punon sipas standardeve më të larta evropiane, përbën garanci për realizimin cilësor të projektit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i bllokuar.
SHA MEPSO do të vazhdojë të ndajë në mënyrë transparente të gjitha informacionet me publikun. Theksojmë se çdo media që ka nevojë për informacione shtesë, mund t’i drejtohet kompanisë.


