Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë MATTO, vizituan sot Shkollën e Mesme “Shën Naumi i Ohrit”, ku po adaptohen dhe rinovohen nëntë kabinete të reja.
Këto hapësira do të përdoren përkohësisht nga nxënësit me nevoja të veçanta të Qendrës së Burimeve “Idnina” në Çair, deri në ndërtimin e një objekti të ri modern në këtë komunë.
“Çdo fëmijë ka të drejtë për qasje të barabartë në arsim cilësor. Falë angazhimit të Qeverisë dhe donacionit nga MATTO, nëntë kabinete të reja do të jenë funksionale – për mbështetje individuale, mësim sipas metodës Montessori, riedukim psikomotorik, terapi me art, dhomë sensoriale dhe bibliotekë”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se ky është vetëm hapi i parë, duke theksuar vizionin që Çairi të bëhet komunë shembull për përfshirje dhe kujdes ndaj fëmijëve.
Nga ana e saj, ministrja Janevska theksoi se në Qendrën “Idnina” janë të përfshirë 70 nxënës të rregullt dhe 130 me programe të veçanta. “Kjo është një zgjidhje e përkohshme me një donacion prej 100 mijë euro, ndërsa Qeveria do të ndërtojë një objekt të ri modern në vendndodhjen ekzistuese në Çair”, tha ajo.