Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot priti në kabinetin e tij banorë nga fshati Straçincë, me të cilët zhvilloi një takim të hapur lidhur me vendimin për refuzimin e kërkesës për hapjen e gurorës në këtë zonë.
Mexhiti i njoftoi banorët për arsyet profesionale dhe institucionale që çuan deri te ky vendim, duke theksuar se analizat e ekspertëve kanë treguar pasoja serioze për mjedisin, rrezik nga vërshimet si dhe ndikim negativ mbi shëndetin publik.
Në takim u riafirmua qëndrimi se mbrojtja e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve është prioritet mbi çdo interes ekonomik. Ministri theksoi se hapi i ardhshëm është anulimi përfundimtar i koncesionit nga Qeveria, duke i dhënë kësaj çështjeje zgjidhje përfundimtare.
Banorët e Straçincës shprehën mirënjohje për vendimin dhe pritjen e bërë nga ministri Mexhiti, duke e cilësuar takimin si shembull të qeverisjes me dialog të hapur dhe bashkëpunim të ndershëm me qytetarët.