Mexhiti thumbon Osmanin: Mos harro t’i marrësh me vete Gruevskin dhe Mijallkovin!

Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, i përgjigjet me humor politik kundërshtarit nga BDI, duke përmendur lidhjet e vjetra të partisë me strukturat e pushtetit të kaluar.

Kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i është kundërpërgjigjur me ironi kandidatit të BDI-së, Bujar Osmani, pas deklaratës së këtij të fundit se Mexhiti “duhet të marrë me vete kryeministrin Hristijan Mickoski në debat”.

Në reagimin e tij, Mexhiti përdori një ton therës dhe humor politik, duke e kthyer akuzën në kundërsulm dhe duke kujtuar lidhjet e BDI-së me ish-strukturat e pushtetit që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve ndër vite.

“Sot dëgjova diçka tjetër – se i paskam thënë të vijë në debat me Aliun, me Artanin dhe me PR agjencitë e tyre, që t’i ballafaqojmë argumentet, politikat e vizionet për Çairin. Ai qenka kundërpërgjigjur se unë duhet të marr Mickoskin.

Unë Mickoskin do ta marr si kryeministër, por atëherë le të marrë edhe ai, përveç Aliut dhe Artanit, Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin – edhe këtu ta mbyllim punën. Ose le të bëhet burrë e le ta caktojë termin, le ta zgjedhë një televizion nacional dhe prej sot po i them se aty më ka,” deklaroi Mexhiti.

Debati midis dy kandidatëve për Çair, Mexhiti dhe Osmani, po tensionohet çdo ditë e më shumë, teksa fushata lokale pritet të hyjë në fazën e saj më dinamike.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT