Mickoski sinjalizon zgjedhje të parakohshme parlamentare pas zgjedhjeve lokale

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka lënë të hapur mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se një vendim i tillë mund të merret pas zgjedhjeve lokale, nëse kjo shihet si e dobishme për stabilitetin dhe interesin e shtetit.

Duke folur sot në Strumicë, Mickoski tha se pas fitores së pritur të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, do të ishte logjike të mendohej për rifreskimin e mandatit qeverisës për katër vitet e ardhshme.

“Pres që pas këtyre zgjedhjeve lokale të hyjmë në një cikël të fuqishëm investimesh. Prandaj, është logjike të mendohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të siguruar një mandat të ri katërvjeçar. Nëse e shohim këtë si një vendim politik, do të pajtohesha, por nëse e shohim nga këndvështrimi shtetëror, atëherë mendojmë ndryshe,” deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se prioriteti kryesor i qeverisë është interesi shtetëror dhe stabiliteti ekonomik, duke nënvizuar se çdo vendim për zgjedhje të reja do të merret vetëm pas analizës së zhvillimeve dhe nevojave konkrete të vendit.

“Ne duam ta vëmë shtetin para së gjithash, ashtu si edhe interesin e biznesmenëve, që të kenë një të ardhme të parashikueshme. Vetëm pas kësaj mund të mendojmë për interesin politik. Por, do të shohim — së pari të ndodhin ngjarjet, pastaj do të marrim vendime,” theksoi ai.

Ky është rasti i parë që kryeministri Hristijan Mickoski lë të kuptohet publikisht për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një kërkesë e kahershme e opozitës shqiptare, të cilën ai dhe partnerët qeveritarë e kanë mohuar vazhdimisht deri më tani.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT