Sonte në Bogovinë u ndje fuqishëm fryma e ndryshimit. Në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, ministri Arben Fetai deklaroi se koha e mashtrimeve dhe korrupsionit ka përfunduar, ndërsa qytetarët tashmë po zgjedhin ndershmërinë, punën dhe përgjegjësinë.
“Bogovina për vite ra aksidentalisht në duart e të korruptuarve, por tashmë po zgjohet me VLEN-in. Bogovina kërkon drejtësi, barazi dhe dinjitet, dhe këtë po e gjen te njerëzit e ndershëm e të përkushtuar si kandidati ynë, arkitekti Feti Abazi, me Florim Rakipin e Malsore Ramadanin bashkë me gjithë ekipin,” theksoi ministri Fetai.
Ai shtoi se qytetarët e Bogovinës po tregojnë se besojnë te puna dhe fjala e mbajtur, jo te mashtrimet dhe premtimet boshe.
“Përballë kemi një opozitë që s’di çfarë do, s’bën asgjë dhe s’ofron asnjë zgjidhje. Ne, përkundrazi, po e dëshmojmë çdo ditë se ndryshimi është i mundur, kur punon me qëllim të pastër e me besë ndaj qytetarëve. Bogovina foli sonte me një zë – VLEN me një zë për Fetin,” përfundoi ministri Arben Fetai.