Ndryshimet e reja në Ligjin e TVSH-së kanë shkaktuar debat publik, por nga Ministria e Financave sigurojnë se qytetarët nuk do të paguajnë asnjë kosto shtesë për dërgesat që vijnë nga jashtë vendit, përfshirë edhe blerjet online përmes platformave si TEMU.
Sipas Ministrisë, sistemi aktual i llogaritjes së TVSH-së mbetet i pandryshuar:
taksat vazhdojnë të përfshihen në çmimin përfundimtar të produktit, ndërsa pagesat ndaj shtetit kryhen nga operatorët postarë ose shpedicionet e autorizuara.
“Qytetarët nuk do të kenë asnjë detyrim të ri financiar. Nuk ka vend për panik”, deklarojnë nga Ministria e Financave, duke theksuar se blerjet online do të funksionojnë në të njëjtën mënyrë si deri më tani.
Ndryshimi kryesor lidhet me heqjen e rregullit të vjetër që përjashtonte nga TVSH-ja dërgesat deri në 22 euro—një hap që, sipas Ministrisë, përdorej shpesh për abuzime dhe shmangie të pagesave tatimore.
Në këtë mënyrë, autoritetet synojnë të forcojnë sistemin fiskal dhe të parandalojnë manipulimet me vlerën e deklaruar të dërgesave.
Ndryshimet u miratuan nga Parlamenti dhe tashmë janë pjesë e ligjit të ri për TVSH-në.

