Murtezi: Studentët meritojnë veprime, jo fjalë boshe

Kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Muhamed Murtezi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me protestën e studentëve shqiptarë për çështjen e provimit të jurisprudencës, duke shprehur mbështetje të hapur ndaj tyre.

Ai theksoi se studentët nuk kanë nevojë për “lot krokodili” dhe deklarata boshe, por për guxim dhe vendime të forta nga institucionet. Sipas tij, kauza e tyre është e drejtë dhe kërkon zgjidhje reale, jo retorikë politike.

 

Shkrimi i plotë:

Disa fjalë rreth protestës së studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës, dhe jo vetëm.
E para, në betejën e tyre të drejtë sot, ata nuk kanë nevojë për lot krokodili e fjalë të kota, po për guxim institucional e veprime të forta.
E dyta, besoj ata do të tregohen mjaft të pjekur për të dalluar kauzën e drejtë rinore, prej interesave hipokrite ditore. Dhe faktin se suksesi nuk matet me zërat e zhurmshëm që rrugës prodhohen, po me rezultatin në fund se si gjërat rregullohen.
E treta, e sotmja ka një të djeshme të qartë të përgjegjësisë, pavarësisht përpjekjeve për ta mbuluar atë sikur diellin me shoshë, dhe e ka edhe një të nesërme të pashmangshme, ku do të matet çdo lëvizje e keqe dhe veprim i shëndoshë. Hipokrizia nuk paraqet vlerë, ajo në thelb është mashtrim; sinqeriteti në fjalë e korrektësia në punë, gjithmonë duhet të mbesin parim.
E katërta, PO, e mbështes protestën e ditës së hënë dhe në mundsha do të jem i pranishëm aty edhe me trup. Për një arsye të vetme: Studentët e meritojnë mbështetjen dhe përkrahjen tonë, pa hiç interes të ditës, pa asnjë gram dyfytyrësi, me plot dashamirësi e shumë përgjegjësi. Po, edhe për shkakun e përvojës personale. Ngase në lëkurën time e kam ndier padrejtësinë e zullumin, madje në përmasa shumë më të mëdha se kjo sot, si student i Universitetit të Prishtinës në fund të viteve të tetëdhjeta dhe fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Kontrollet e rrepta nëpër punktet policore, helmimet e nxënësve shqiptarë në bankat shkollore, demonstratat e përgjakshme studentore, largimin prej procesit arsimor nga politika fashiste serbomadhe shtetërore…
E pesta, dhe e fundit, por që duhet të jetë prioriteti ynë i parë: Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe duhet të zgjidhet një ditë e më shpejt, sikur edhe shumë probleme tjera të kësaj natyre e të këtij lloji. Dhe kjo do të bëhet realitet gjatë kohës së VLEN-it në qeveri, padyshim. E kur kjo të ndodhë, shumë zëra do të heshten, plot fytyra do të turpërohen… me rëndësi, studentët tanë dhe ata që punojnë ndershëm e me sinqeritet të gëzohen!

TË NDRYSHME

TË FUNDIT