Myftinia e BFI Tetovë sot e shtunë, më datë 15 nëntor 2025, organizoi seminarin me temë “Luftimi i dukurive negative në shoqëri” duke mbledhur bashkë në Tetovë ekspertë, profesorë të njohur, drejtues institucional, si dhe përfaqësues të arsimit dhe më gjerë.
Temat e trajtuara u mbajtën nga ligjërues të shquar: Prof. Dr. Muhamed Mustafi (Sistemi i Islamit në parandalimin e fenomeneve negative), Prof. Dr. Ali Pajaziti (Sjelljet devijante në kohë post-moderne: Vështrim Sociologjik), Prof. Dr. Qufli Osmani (Veset negative: si na formon shoqëria dhe si mund ta ndryshojmë veten), dhe Prof. Dr. Jeton Shasivari (Ajri i pastër: e drejtë e njeriut apo iluzion).
Seminari u shoqërua nga diskutime të hapura pas çdo ligjërate, me pjesëmarrjen e profesorëve, përfaqësuesve të universiteteve, drejtorëve institucionalë, medresantëve, besimtarëve dhe qytetarëve të Tetovës, si dhe nga një fjalim i mbajtur nga Myftiu Dr. Selver Xhemaili, në të cilin theksoi rëndësinë e luftës kundër dukurive negative nëpërmjet edukimit, angazhimit qytetar dhe rritjes së pranisë së të mirës në shoqërinë tonë, duke theksuar: “E keqja nuk ekziston si forcë më vete, ajo është thjesht mungesa e së mirës. Nuk mjafton vetëm të mos bëjmë keq, duhet të bëjmë mirë dhe të veprojmë.”
Shpresojmë që ky seminar të ketë shërbyer si një platformë e vlefshme për të nxitur debat dhe reflektim mbi dukuritë negative që prekin shoqërinë tonë, si dhe të jetë një pikënisje për iniciativa të tjera të ngjashme, të cilat synojnë përmirësimin e jetës sonë kolektive dhe forcimin e vlerave të përbashkëta.
Në fund të seminarit, u shpërndanë certifikata për pjesëmarrësit dhe u përcoll mesazhi që ky aktivitet të shërbejë si platformë frymëzuese për të ardhmen kolektive.

