“NDËRRIMI I PAFUND” NË STRUGË HAPI DEBATIN PËR PUNËN E PADUKSHME TË GRAVE

Burrat në Maqedoninë e Veriut kalojnë 18 herë më pak kohë se gratë duke kryer punë shtëpiake dhe duke u kujdesur për familjen – një e dhënë që shënoi tryezën e rrumbullakët të djeshme “Ndërrimi i pafund: Puna riprodhuese, puna e shtëpisë dhe amësia”, e mbajtur në Europe House Strugë.

 

Ngjarja ishte pjesë e karvanit kombëtar “Vish ndryshimin” (Wear the Change), i iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian, ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian (Team Europe) dhe rrjeti i Europe House. Fushata, e nisur më 8 Mars, po zhvillohet në disa qytete të vendit dhe hap biseda të drejtpërdrejta dhe publike për barazinë strukturore gjinore dhe pjesëmarrjen qytetare.

Në fokus të diskutimit ishte “ndërrimi i dytë” i pandërprerë, por shpesh i padukshëm, të cilin shumë gra e vazhdojnë në shtëpi edhe pas përfundimit të angazhimeve të tyre profesionale. Krahas punës fizike, pjesëmarrëset folën edhe për të ashtuquajturën barrë mendore – planifikimin, organizimin dhe koordinimin e vazhdueshëm të jetës familjare, kujdesin për fëmijët dhe mbështetjen emocionale të anëtarëve të familjes.

U theksua se rreth 45 për qind e grave në moshë pune, por joaktive, nuk kërkojnë punësim për shkak të detyrimeve shtëpiake dhe përgjegjësive të kujdesit, krahasuar me vetëm katër për qind të burrave joaktivë. Këto shifra, siç u theksua, nuk janë çështje e zgjedhjes individuale, por pasojë e pritshmërive shoqërore të rrënjosura thellë dhe e shërbimeve publike të pamjaftueshme për mbështetjen e familjeve.

Diskutimi u drejtua nga Shefkije Alasani Dika, shefe e Kabinetit të kryetarit të Komunës së Strugës, e cila njëkohësisht mori pjesë edhe si paneliste. Përmes dëshmisë personale, ajo foli për rëndësinë e mbështetjes së partnerit në rritjen e përbashkët të fëmijëve dhe ndarjen e detyrimeve shtëpiake, duke theksuar se pikërisht kjo ka qenë vendimtare që ajo të mund të ndërtojë karrierën e saj dhe të ushtrojë një funksion me përgjegjësi në pushtetin lokal.

Zëvendësshefja e Misionit të Ambasadës së Republikës Çeke në Shkup, Andrea Steiner Votavova, prezantoi Direktivën e Bashkimit Europian për ekuilibrin ndërmjet jetës profesionale dhe asaj private si një model konkret për vendosjen e lejes së përbashkët prindërore. Ajo theksoi se kujdesi për fëmijën nuk duhet të trajtohet vetëm si detyrim i nënës, por si përgjegjësi e përbashkët prindërore dhe shoqërore.

Doktoresha Biljana Kuzmanovska, specialiste e mjekësisë interne dhe kardiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës, foli për sfidat fizike dhe mendore të harmonizimit të një karriere profesionale në një mjedis me stres të lartë me pritshmëritë tradicionale që gruaja të mbetet bartësja kryesore e kujdesit shtëpiak. Si nënë vetushqyese, ajo ndau edhe përvojën e saj personale për sfidat me të cilat është përballur në balancimin e detyrimeve profesionale dhe familjare, duke theksuar se suksesi kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, këmbëngulje dhe organizim të fortë personal.

Panelistet ndanë gjithashtu përvoja personale se si rolet gjinore kanë ndikuar në jetën e tyre që nga rinia, si dhe për kritikat shoqërore me të cilat përballen gratë kur nuk arrijnë t’i përmbushin të gjitha pritshmëritë që lidhen me amësinë, familjen dhe suksesin profesional.

Biseda i tejkaloi statistikat dhe politikat publike, duke hapur hapësirë për dëshmi të sinqerta, strategji personale për përballimin e detyrimeve të përditshme dhe një thirrje për ndarje më të drejtë të përgjegjësive të kujdesit. U theksua gjithashtu nevoja për njohjen ligjore të lejes së përbashkët prindërore, e cila në kuadrin aktual ligjor ende nuk është rregulluar plotësisht si e drejtë e barabartë e të dy prindërve. Njëkohësisht, u theksuan edhe kufizimet ligjore me të cilat përballen prindërit vetushqyes.

Mesazhi kryesor i tryezës së rrumbullakët ishte se puna e shtëpisë, amësia dhe kujdesi nuk duhet të mbeten të padukshme dhe të bien në mënyrë joproporcionale mbi gratë. Arritja e një ekuilibri të vërtetë ndërmjet jetës profesionale dhe asaj private kërkon ndryshim jo vetëm në familje, por edhe në ligje, institucione, politika lokale dhe pritshmëri shoqërore.

Karvani “Vish ndryshimin” vazhdon, duke krijuar hapësirë për biseda publike mbi barazinë gjinore, përgjegjësinë e përbashkët dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT