Ndeshja Shkëndija-Vardari shtyhet për shkak të zgjedhjeve lokale. Mungon konfirmimi zyrtar nga Komisionini Garave. Të enjten miqësore me Bashkimin.
KF Shkëndija njofton se për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve lokale në fundjavën e ardhshme (19 tetor 2025), Komisioni për Gara pranë FFMV-së ka vendosur që të shtyhen ndeshjet e xhiros së 10-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut.
Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut akoma nuk ka publikuar lajmin dhe nuk ka dërguar në adresë të klubit një njoftim zyrtar me email, por klubet janë informuar përmes komunikimit telefonik se xhiroja e 10-të do të zhvillohet në një datë të re, e cila pritet të konfirmohet së shpejti, me gjasë një javë më vonë.
Ky ndryshim ka sjellë rishikim të planit javor të punës për skuadrën kuqezi, e cila të dielën (dje) zhvilloi një ndeshje stërvitore me ekipin U19 të klubit.
Në kuadër të përgatitjeve dhe për të mbajtur ritmin e ndeshjeve, është planifikuar edhe një miqësore, të enjten (16.10.2025) nga ora 14:00 me Bashkimin e Kumanovës në stadiumin e qytetit në Tetovë.