Në prani të zyrtarëve lokalë dhe përfaqësuesve të sportit, sot është vendosur gurthemeli për tribunat e reja në stadiumin e klubit futbollistik “Besa” të Likovës, duke shënuar fillimin e një transformimi të shumëpritur në infrastrukturën sportive të komunës.
Në këtë ngjarje morën pjesë Nexhmedin Sadiku, zëvendësministrja e Sportit Safije Sadiku Shaini, këshilltari i komunës Iljasa Abazi, përfaqësues të KF Besa dhe aktivistë të tjerë lokalë.
“Ky projekt shënon fillimin e një transformimi të shumëpritur në infrastrukturën sportive të komunës sonë,” deklaroi Sadiku, duke theksuar rëndësinë që i jepet rinisë dhe zhvillimit të sportit si urë bashkimi komunitar.
Ai nënvizoi se gjatë vetëm një viti pjesëmarrjeje të koalicionit VLEN në Qeveri, përmes Zv/ministres së Sportit Safije Sadiku Shaini, janë ndarë mbështetje të drejtpërdrejta financiare për klubet dhe sportistët e komunës së Likovës:
-
KF “BESA” – 500.000 denarë (8.130 €)
-
KK “RINIA” – 400.000 denarë (6.500 €)
-
KK “BESA” – 400.000 denarë (6.500 €)
-
KSH “TEUTA” – 300.000 denarë (4.880 €)
-
Atleti Gilman Jonuzi – 100.000 denarë (1.600 €)
Përveç këtyre, shumë sportistë të tjerë nga Komuna e Likovës kanë përfituar mbështetje për pjesëmarrje në gara ballkanike dhe evropiane.
“Ne besojmë se të rinjtë tanë meritojnë kushte dinjitoze për zhvillim, frymë sportiviteti dhe bashkim komunitar. Prandaj, sikurse sot si Qeveri, nesër edhe si udhëheqësi e komunës do të vazhdojmë përkrahjen e fuqishme për sportin, klubet sportive nga Likova dhe të rinjtë në përgjithësi,” u shpreh Sadiku.