Nëse planifikoni të udhëtoni drejt Greqisë, shmangeni pas 30 nëntorit: Paralajmërohen bllokada dhe greva

Udhëtarët që planifikojnë të vizitojnë Greqinë në fund të muajit duhet të jenë të kujdesshëm: fermierët grekë kanë paralajmëruar bllokada të gjera në rrugë, autostrada dhe pika kyçe nga 30 nëntori deri më 5 dhjetor. Vendimi është marrë në një takim të përbashkët pranë Larisës, ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave bujqësore nga e gjithë Greqia.

Protestat do të zhvillohen në disa faza dhe do të shtrihen gradualisht në territorin grek. Bllokada të pjesshme ose të plota priten në autostradën kryesore Athinë–Selanik, ndërsa nuk përjashtohen as bllokimet e pikave kufitare dhe portëve, gjë që mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme për udhëtarët nga Maqedonia e Veriut dhe vendet fqinje.

Vendimet për mënyrën e veprimit do të merren nga shoqatat lokale të fermerëve, të cilat pritet t’i njoftojnë komunat dhe rajonet për planin përfundimtar të protestave. Rajoni i Thesalisë ka synim të organizojë një bllokadë të përbashkët në autostradën qendrore të vendit.

Fermierët kërkojnë pagesën e subvencioneve të vonuara dhe uljen e kostos së prodhimit, të cilën e konsiderojnë tejet të lartë. Ata gjithashtu kërkojnë çmime të garantuara për prodhimet bujqësore.

Udhëtarëve u rekomandohet të kontrollojnë situatën para nisjes, pasi bllokadat mund të ndikojnë ndjeshëm në qarkullimin rrugor dhe hyrje-daljet kufitare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT