Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nga data 10 prill 2026 fillon zbatimi i plotë i sistemit të hyrje-daljeve në Bashkimin Evropian (EES – Entry/Exit System). Ky sistem digjital do të aplikohet për të gjithë shtetasit e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe që udhëtojnë për qëndrim afatshkurtër.
Çfarë ndryshon me sistemin e ri?
Me futjen në punë të EES, hyrjet dhe daljet nuk do të regjistrohen më me vula në pasaportë, por në mënyrë elektronike. Sistemi do të përpunojë të dhëna bazë biometrike, duke përfshirë:
-
Shenjat e gishtërinjve
-
Fotografinë e udhëtarit
Ky proces synon një identifikim më të shpejtë dhe monitorim më efikas të kohëzgjatjes së qëndrimit, duke respektuar rregullin e mirënjohur “90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”. Megjithatë, pritet që kjo procedurë të rrisë kohën e pritjes në pikat kufitare gjatë fazës së hyrjes në BE.
Masat e ndërmarra nga Policia Kufitare
MPB bën të ditur se Policia Kufitare ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një qarkullim sa më të rrjedhshëm në pikat tona kufitare. Janë vënë në funksion të gjitha resurset njerëzore dhe teknike për të minimizuar vonesat.
Policia do të jetë e pranishme me angazhim të shtuar në terren dhe do të monitorojë vazhdimisht situatën, duke mbajtur qytetarët të informuar për çdo ndryshim apo informacion të rëndësishëm lidhur me aplikimin e këtij sistemi të ri.


