AFRIKË – Prania e një prej figurave më të mëdha të historisë së futbollit, Zinedine Zidane, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve gjatë ndeshjes Algjeri–Sudan, e vlefshme për Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON).
Ish-trajneri i Real Madridit u pa në shkallët e stadiumit për të mbështetur djalin e tij, Luca Zidane, i cili ishte titullar në portën e Algjerisë. Gardiani 27-vjeçar pati një paraqitje të shkëlqyer, duke e mbajtur portën të paprekur në fitoren bindëse 3 me 0 të “Dhelprave të Shkretëtirës”.
Zgjedhja e zemrës Luca Zidane, i cili ka kaluar nëpër grupmoshat e Francës, vendosi vetëm pak muaj më parë të përfaqësonte Algjerinë, vendin e origjinës së prindërve të tij. Ai bëri debutimin zyrtar në tetor kundër Ugandës, ndërsa kjo ndeshje ndaj Sudanit shënoi startin e tij të parë në një kompeticion madhor si Kupa e Afrikës.
Prania e Zinedine Zidane në stadium nuk ishte vetëm një akt prindëror, por u pa nga tifozët algjerianë si një shenjë e madhe respekti për rrënjët e tyre të përbashkëta.


