Në një atmosferë plot entuziazëm dhe shpresë, kandidati i koalicionit VLEN, Fatmir Limani, ka hapur shtabin zgjedhor në Zajaz – Çelikaj, ku morën pjesë dhjetëra banorë, të rinj dhe përfaqësues të mërgatës.
“Sonte, në Zajaz – Çelikaj, ndezëm një dritë të re shprese! Ishim bashkë me banorë që nuk janë dorëzuar kurrë, me gra e burra që kanë punuar e duruar shumë, me të rinj që ende besojnë se Zajazi mund të rilindë, dhe me mërgimtarë që mbeten zemra e këtij vendi,” deklaroi Limani.
Ai tha se hapja e këtij shtabi simbolizon fillimin e një etape të re për zhvillimin e fshatit dhe komunës, duke u fokusuar në rrugë të rregullta, ndriçim publik, ujë të pijshëm dhe kushte dinjitoze për çdo familje.
“Këto nuk janë luks, janë të drejta themelore për jetesë me dinjitet. Zajazi ka pritur gjatë, por tani është koha e punës, e drejtësisë dhe e fjalës së mbajtur,” theksoi Limani.
Ai shtoi se VLEN nuk ofron premtime boshe, por përkushtim, ndershmëri dhe zemër në çdo hap, duke theksuar rolin e rinisë dhe mërgatës si shtylla kryesore të zhvillimit të vendit.
“Rinia e Zajazit është shpresa jonë, dhe ne do të bëjmë gjithçka që ajo të ketë arsye të qëndrojë e të ndërtojë jetën këtu. Mërgata jonë është forca jonë — ata që s’e harrojnë rrënjën dhe duan të kthehen në një vend që punon për njerëzit, jo për interesat,” tha ndër të tjera Limani.
Në fund, ai falënderoi banorët për mikpritjen dhe besimin, duke e quajtur Zajazin shembull të qëndresës dhe bashkimit.
“Bashkë, s’na ndal askush!” përfundoi Limani.