“Nou Estadi” plot me tifozë kuqezinj – biletat për Andorrë–Shqipëri shiten për 48 orë

Interesi për ndeshjen Andorrë–Shqipëri ka qenë jashtëzakonisht i madh, pasi të gjitha biletat janë shitur brenda më pak se 48 orësh. Federata e Futbollit të Andorrës njoftoi se stadiumi “Nou Estadi”, me kapacitet prej 5,600 vendesh, është tashmë i mbushur plot dhe nuk ka më bileta në shitje.

Ky është një rast i rrallë për andorranët, të cilët për ndeshjen e muajit të kaluar ndaj Serbisë kishin më pak se një mijë tifozë në tribuna. Këtë herë, atmosfera pritet të jetë krejt ndryshe, pasi shumica e spektatorëve do të jenë tifozë shqiptarë që do të udhëtojnë nga Spanja, Franca e vetë Shqipëria për të mbështetur kombëtaren.

Për Shqipërinë, kjo përballje e 13 nëntorit ka peshë të madhe, pasi një fitore e kombinuar me humbjen e Serbisë ndaj Anglisë do t’i siguronte kuqezinjve kualifikimin zyrtar.

Skuadra e Sylvinhos do të grumbullohet të hënën në Barcelonë, ku do të zhvillojë përgatitjet deri një ditë para ndeshjes, për t’u zhvendosur më pas në Andorrë. Pas kësaj sfide, Shqipëria do të përballet me Anglinë më 16 nëntor në “Air Albania”, ndërsa të dyja ndeshjet do të transmetohen drejtpërdrejt në Klan.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com