[Opinion] : Gazi Amerikan e Litiumi i Serbisë mund ta shpëtojnë Kosovën nga ‘Asociacioni’ ?!

Biznesi i Kosovës me SHBA për LNG, mos-nxjerrja e litiumit të Serbisë për nevoja të BE-së, e strategjitë largpamëse për bashkë-investim me Shqipëri e SHBA në Hydrogjen, mund të ndikojnë në heqjen graduale të presionit të perëndimit dhe ta shpëtojnë Kosovën nga thelemimi i të rrezikshmit ‘Asociacion’ përtej ligjeve të tashme për OJQ.
Shkruan Ekrem Krasniqi, Bruksel
Që në fillim të këtij vështrimi më duhet ta përkujtoj të njohurën e madhe për të gjithë, se politika është instrument në shërbim të ekonomisë, e politikanët janë ata që e përdorin politikën shtetërore, apo do të duhej përdorur, për të mirën ekonomike të vendit që përfaqësojnë.
Ekonomia e sotme, ashtu si edhe në të kaluarën, qëndron mbi themelin e burimeve energjatike. Kësaj here si asnjëherë më parë, në historinë moderne të ekonomisë, burimet energjetike, në këtë rast gazi natyror, gazi i lëngshëm natyror (LNG), dhe lithiumi gjenden në krye të listës të burimeve që ekonomitë moderne kanë nevojë me të madhe, në periudhën e ndërlikuar të siç quhet ‘tranzicionit energjetik’, drejt një ekonomie të synuar të bazuar në energji të pastër, siç janë era, dielli, dhe në ardhje e sipër edhe Hydrogjeni (ai i gjelbër, e në të një ardhme jo të largët edhe Hydrogjeni Natyror).
Por ku qëndron lidhshmëria midis LNG-së Amerikane, Litiumit të Serbisë dhe ‘Associacionit’ të rrezikshëm për Kosovën?
Përkatësisht, sa janë gjasët që marrja e LNG-së amerikane nga e Kosovës, siç propozoi dikur qeveria e Joe biden, e siç ende propozon tashmë Washingtoni përgjatë qeverisë së Donald Trump, të ndihmojë Kovovën që të shpëtojë nga ‘Associacioni’ i nisur me 2013 e vazhduar në 2023, e cili do të ishte goditja më e madhe për Kosovën dhe normalitetin e saj, që nga çlirimi e deri më tash?
Ku është ndërlidhshmëria e Litiumit të Serbisë, i cili përfaqëson deri në 26% të nevojave vjetore për plot 40 vite për industrinë automotive të Bashkimit Evropian, me shpëtimin e Kosovës nga ‘asociacioni’?
Sa janë gjasët që mos-nxjerrja e Lithumit të Serbisë në komunën e Lloznicës, të ndikojë kundër themelimit të ‘Asociaconit”, apo çfarëdo asociacioni i cili tejkalon ligjin e Kosovës për shoqtat, përkatësisht organizatat jo-qeveritare (OJQ)?
LNG amerikane
Marrja e LNG-së amerikane, do të hiqte pjesërisht apo krejtësisht presionin e administrave amerikane ndaj Kosovës për të formuar ‘Asociacionin’, i cili nuk është gjë tjetër pos një ‘Dayton” i ngjyrosur e i kamufluar në dëm të Kosovës.
Administrata e Joe Biden, me presionet ndaj qeverive të dikurshme dhe të tashme për ‘Associaoni’, ishte vënë në ndihmë të BE-së për t’i ndihmuar pra BE-së për të plotësuar një kusht Serbisë në raport me Kosovën, përkatëisht në shkëmbim të nxjerrjesë, ende në pritje, të litiumit të Serbisë.
‘Follow the money 1’ (ndiqe paranë)
Sikur vet BE dhe SHBA të besonin në këtë ‘Asociacion’, i njëjti do t’i kërkohej Serbisë për Luginën e Preshevës, apo Sandzak apo shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Por jo, arsyet ndërlidhen me rezervat e mëdha që Serbia ka me litium në Lloznicë.
Presioni i jashtëzakonshëm që BE (Gjermania, France dhe Italia sidomos), bashkë me administratën e Bident, kanë bërë ndaj qeverive të mëparshme të Kosovës ka shkaktuar marrëveshjen e 2013. Pati vazhduar dhe e shkaktoi atë të 2015, e vazhdoi dhe e shkaktoi edhe marrëveshjen e 2023 të qverisë së tashme.
Aktualisht, qeveria e tashme, ndodhet ende në presion nga BE për themelimin e ‘asociacionit’të rrezikshëm për Kosovën, por jo edhe nga qeveria e Trump, për shkak se Washingtoni  i tashëm nuk ka raporte të mira me BE-së, në shumë fronte.
Por, ky lehtësim i rastësishëm për Kosovën do të zgjasë edhe dy vjet e gjysëm.
Pastaj sipas të gjitha gjasëve, përsëri në pushtet në SHBA do të vijnë demokratët, dhe dyshja SHBA-BE, përsëri do të ndezë motorët e përbashkët për presion shtesë ndaj Kosovës për themelimin e ‘asociacionit’ të kërkuar nga Serbia.
Çka duhet bërë Kosova tash deri në zgjedhjet e fundvitit 2028 në SHBA?
Kosova duhet që të gjejë gjuhë për përbashkët me qeverinë e tashme për ofertën për LNG.
Oferta e SHBA në kohën e qeverisë së Bidenit ishte për 250 MWh central me djegie gazi.
Në Nëntor 2021 kam shkruar për “4 opcionet e Kosovës për gazin amerikan“, për versionin e asaj kohe për prodhim të 250 MWh.
Nuk dihet ende nëse kërkesa/oferta e tashme nga Washingtoni është përsëri për 250 MWh apo më shumë.
Qeveria e Kosovës duhet t’iu jap fund refuzimeve e të zgjerojë negociatat për 250 MWh për central gazi në Kosovë për rrymë elektrike, edhe për 250  MWh të tjerë në TC të Vlorës.
Ky është një opcion për 500MWh rrymë elektrike për Kosovën. Përderisa qeveria e Kurtit vazhdon të refuzojë ofertën për LNG amerikane, partitë opozitare e kanë  opcionin për 500 MWh për central me gaz për prdhim rryme elektrike në Kosovë përmes ndërlidhjes me Maqedoninë e Veriut.
Por, për trashje të biznesit midis Kosovës e SHBA, opcionet janë të shumta, edhe për vetëm 250 MWh, e edhe më shumë për 500 MWh dhe ato nuk janë të kufizuara doemos, e në këto kombinime mund të futen edhe opcioni pasues për Hydrogjen, pra përsëri së bashku me kompanitë amerikane.
Kjo është çështje bisedash të sinqerta midis të dy palëve. Por qeveria e tashme duket që nuk ka qasje të sinqertë. Arsyet mbeten të panjohura, sado të përfaqësuesit e saj po e shetisin publikun dhe vet SHBA-të me kinse altenative të tjera, siç është ‘gazifikimi i thëngjillit’, një ide kjo për të cilën LVV e ka që më herët në program të saj, por e rrezikshme për ambientin dhe natyrën në Kosovë me rezultate biznesi krejtësisht të paparashikuara e jo stabile.
Të mirat e kompromisit me SHBA për LNG, apo “follow the money 2”
Arritja e një marrëveshje me SHBA për LNG do të kishte efekt pozitiv jo vetëm për aspekte ekonomike, me kapacitete shtesë të rrymës elektrike për nevoja të brendshme dhe eksport kur nuk ke nevojë për treg të brendshëm, por edhe do të kishte ndikim lehtësues politik përballë presioneve të BE-së për ‘Asociacionin’ e rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës.
Me fjalë të tjera, Kosova, duhet TASH që të trashë biznesin me SHBA, për të hequr presionin e ardhshëm të Washingtonit, të qeverisë pas-Trump, për themelim të ‘asociacionit’.
Litiumi i Serbisë
Presionet e jashtakonshme të BE-së për ‘Asociacion’ tashmë janë të qarta. BE ka nevojë të jashtëzakonshme për litium. Serbia, Aleksandar Vuçiiçi ua ka premtuar biznesin me lithum gjermanisë, Francës dhe Italisë, pra tre industrive kryesore të BE-së. Ai madje ka nënshkruar MoU për të.
Por Vuçiç dhe BE janë në hall të madh, sepse opozita, studentët, përkatësisht 62% e popullatës në Serbi, sipas anketave, janë kundër nxjerrjes së lithiumit në Lloznicë, për shkak të problemeve që do të shkaktonte i njëjti në ambientin, natyrën, tokën, e ajrin e asaj rrethine.
BE, dhe qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Italisë ende janë në përkrahje të Vuçiçit, pra njeriut i cili ua ka premtuar litiumin, industrive automotive të këtyre tre shteteve.
Zgjedhjet në Serbi, Litiumi, e ‘Asociacioni’ i rrezikshëm për Kosovën
Prandaj BE, dhe qeveritë e këtyre tre vendeve ende nuk i kemi dëgjuar e as parë të jenë në përkrahje të studentëve protestues tash e 18 muaj e as opozitës.
Të tre këto shtete kanë frikë se Vuçiçi do t’i humbasë zgjedhjet, e në pushtet të vijnë ata që janë kundër nxjerrjes dhe përpunimit të litiumit në Serbi.
Anketat në Serbi, thonë se nëse Lista e Studentëve dhe opozita bëhen bashkë, do t’i fitojnë zgjedhjet, e Vuçiçi dhe SNS e tij do të dëbohen nga pushteti.
Ky ndërrim i mundshëm në Serbi, ka një përparësi në të mirë të Kosovës, por jo edhe detyrimisht.
E para, nëse studentët dhe opozita i mbeten besnik qëndrimeve të tyre kundër nxjerrjes së litiumit, atëherë presioni i BE-së ndaj Kosovës për themelim të ‘Asociacionit’ gradualisht do të zbehej, sepse nuk shoh pse BE do të insistonte t’i bënte shërbim Serbisë me ‘Asociacion’ në Kosovë, kur biznesi më i rëndësishëm i BE-së për industrinë e saj automotive dhe më gjerë me litumin e Serbisë do të dështonte.
Po,r deri atëherë dhe papritur më, Kosova do të duhej të futej në marrëdhenie kontraktuale për marrjen dhe përdorimin e LNG-së amerikane.
Edhe me ndërrimin e pushteteve në Serbi, BE nuk do të heqë lehtë dorë nga lithiumi i Serbisë, dhe sipas traditës në politikë, Gjermania, Franca dhe Italia do të fillojnë të ndërtojnë raporte dhe të joshin pushtetin e ardhshëm në Serbi me ‘Asociacion’ në Kosovë, e me zhbllokim të negociatave për anëtarësim, me shpresë të zbatimit të marrëveshjes që kanë me Serbinë për Litium.
Ndërrim qëndrimi eventual në Serbi për litium ?!
E dyta, nëse stratgjia e BE-së do të kishte sukses ndaj pushtetit të ardhshëm në Serbi, Kosova përsëri do të ndodhet në telashe me presione nga BE, e pas zgjedhjeve të nëntorit 2028, edhe nga qeveria demokrate   në SHBA, pra situata do kthehej në presionin e kohës së qeverisë së Biden.
Opcioni i kompromisit midis BE e pushtetit të ardhshëm në Serbi për litium do të ishte i dëmshëm për Kosovën.
Në këtë skenar, pushteti i ardhshëm në Serbi do të kërkonte ndonjë ndryshim të vogël, apo riformulim në marrëveshjen e 2023 me Kosovën, apo edhe statut të asocaconit për të mundur shitur atë si një fitore tek publikut vendor, gjithnjë pa e ndryshuar kushtetutën e Serbisë.
Pas kësaj, e ndërkohë, BE do të fillonte të hapte e mbyllte kapituj negociatash në bisedimet për anëtarësim në BE me Serbinë, duke shpreshuar se do të mund të bind pushtetin e ardhshëm në Serbi që të plotësonte 3 kushtet e Albin Kurtit: pra nënshkrimin e marrëveshjesë, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe tërheqjen e letrës së Ana Brnabiçit, për zbatim të marrëveshjes, pra themelimin e ‘asociacionit’.
Ky skenar do të vendoste Kurtin në pozitë të ndërlikuar dhe ai do të mund të formonte ‘asociacionin’ meqë kushtet e tij do t’i plotësoheshin.
Në një situatë të këtillë të mundshme, Kosova do të duhej të shpresonte se pushteti i ardhhëm i ri në Serbi i përbërë nga studentët e opozita e tashme t’iu mbetej besnike qëndrimeve të tashme kundër nxjjerres së litiumit, sepse dështimi i projektit të BE-së me lithiumin e Serbisë, do të t’ia hiqte presionin e BE e SHBA-së ndaj Kosovës për themelimin e ‘asociacionit’ të kërkuar nga të dy fuqitë dhe Serbia. Jo menjëherë, por gradualisht.
REFERENDUM për ‘asociacion’
Pavarësisht, se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, a do të ketë ndërrim pushteti, apo jo, se a do të ketë biznes litiumi midis BE dhe Serbisë, Kosova ka para vehtes armën e fortë: atë të LNG biznesit me SHBA, pa marrë parasysh se kush është në pushtet në Washington, dhe REFERENDUMIN për asociacionin po aq.
Edhe nëse Vuçiçi e SNS e tij vazhdojnë të jenë në pushtet, Kosova nuk duhet të pres.
 Ajo duhet që të veprojë që të trash biznesin me SHBA për LNG, e ndërkohë për ‘asociacion’ Kosova duhet ta përdorë ‘armën’ më demokratike dhe më legjitime për t’i dhënë përgjegjen ‘asociacionit’: pra REFERENDUMIN.
Le të vendos populli. E anketa e 2024 e IRI, thotë se 81 % e popullatës është kundër themelimit të asociacionit të kërkuar nga BE, SHBA e Serbia.
LNG, Hydrogjen i Gjelbër dhe Hydrogjeni Natyror
Por deri atëherë, e ndërkohë, Kosova duhet që t’i trashë punët e biznesit me SHBA, jo vetëm përmes LNG-së,  por edhe përmes opcioneve të ndryshme bashkë me kompani amerikane e Shqipërinë për prodhim Hydrogjeni të gjelbër në bregdetin e Shqipërisë.
Shqipëria në minierën e Bulqizës ka edhe Hydrogjen natyror, për të cilin Kosova e Shqipëria do do duhej poaashtu bashkë-investuar për të gjetur sasinë e tij, për patur përgjegje nëse të njëjtat rezerva kanë apo jo përspektivë biznesi dhe ekonomike.
Në kohën e qeverisë së Biden-it, disa kompani amerikane patën filluar që të bëhen gati për prodhim hydrogjeni, për të mundur atë transportuar me anije (duke e shndërruar atë në Amonia përmes shtesë Nitrogen) për tregun eropian.
Shqipëria e Kosova, duhet shikuar mundësitë bashkë me kompani amerikane për bashkëinvestim që Hydrogjeni i gjelbër (ndarja e ujit në Hydrogjen e Oksigjen përmes metodës së elektrolizës) i njëjti pra të prodhohet në Shqipëri për tregun evropian dhe rajonal. Hydrogjeni Natyror në Shqipëri është hapi i dytë që duhet shqyrtuar paralelisht.
Në të kundërtën, pra, nëse Kosova e kësaj qeverie të tashme, refuzon që të futet në biznes LNG me SHBA-të, nuk shoh ndonjë arsye të shëndoshë pse qeveritë amerikane u dashka që të ndihmojnë Kosovën vazhdimisht.
Në kuadër të kësaj, nuk shoh asnjë arsye pse SHBA duhet t’ia jap Kosovës 202 milion dollarë për BESS bateri, apo edhe çfarëdo ndihme tjetër financiare falas, kur Kosova i paska 200 milion të saj për rrugë e tunel nga Prizreni për në Tetovë.
Qeveritë e Kosovës duhet ta ndryshojnë qasjen për të mundur merituar ndihmat financiare të SHBA-ve në të ardhmen, përpara se përfaqësuesit e saj të zgjohen në mëngjes e të mësojnë se Washingtoni të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, që për mua personalisht nuk do të ishte aspak befasi e aspak e çuditshme, duke pasur parasysh qasjen e çuditshme të qeverisë së tashme.
——————————————————————————————————————————————
(Ekrem Krasniqi është themelues i agjencisë së lajmeve për Ballkanin Perëndirmor – BE dhe energji dtt-net.com e gazetar në Bruksel. Ky opinion është botuar së pari në dtt-net.com)

TË NDRYSHME

TË FUNDIT