Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Berlin të Gjermanisë, ka dhënë një intervistë për gazetarin Gordon Repinski të mediumit Politico, ku ka folur për integrimin e Kosovës në BE, luftën kundër krimit dhe marrëdhëniet me Serbinë.
Osmani ka deklaruar se gjatë pesë viteve të fundit janë çmontuar mbi 900 banda kriminale, duke prerë atë që ajo e quajti “mafia e Ballkanit”.
“Në këto pesë vite, kemi çmontuar mbi 900 banda kriminale. Nuk ka banda kriminale në vendin tonë. Niveli i krimit është në pikën më të ulët historike,” tha Osmani.
Ajo ka theksuar gjithashtu se procesi i integrimit të Kosovës në BE ka stagnuar, ndërsa aplikimi i vendit mbetet i bllokuar në institucionet e Brukselit.
Në pjesën e intervistës që lidhet me Serbinë, Osmani ka shprehur shqetësime për qasjen e udhëheqësisë serbe:
“Është gjithmonë e vështirë me Serbinë. Një vend që dëshiron të ecë përpara duhet të përballet me të kaluarën. Fatkeqësisht, në Serbi nuk kemi pasur një udhëheqje që ka bërë këtë, sidomos jo me Vuçiqin. Ai glorifikon Millosheviqin dhe përpiqet ta kthejë Ballkanin Perëndimor në vitet e 90’ta, duke përdorur taktika destabilizuese, përfshirë akte agresioni ndaj Kosovës. Ka disa aleatë, por fillon me Putinin,” tha Osmani.

