Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lartë Njësinë e Operacioneve Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar nivelin e lartë të përgatitjes së saj sipas standardeve dhe doktrinës së ushtrisë amerikane.
Në një postim në Facebook, Osmani u shpreh se FSK-ja është “krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës”.
“E stërvitur dhe e përgatitur sipas doktrinës së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për ta mbrojtur atdheun në çdo moment dhe në çdo pëllëmbë të vendit, kjo është Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së: krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës. Ata nuk mbajnë vetëm uniformën e shtetit, por edhe amanetin e lirisë sonë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së konsiderohet një ndër strukturat elitare të sigurisë në vend dhe simbol i përkushtimit për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.

                                    