Bashkia Vlorë ka paralajmëruar qytetarët se më 17 dhe 18 nëntor priten reshje të konsiderueshme shiu në territorin e qytetit, me mundësi që në disa zona intensiteti të rritet.
Institucionet kërkojnë që banorët të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare në rast të përkeqësimit të motit.
Autoritetet i bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të mos parkojnë në hapësirat që cilësohen si të rrezikuara nga përmbytjet, për të shmangur situata të mundshme problematike.
Njoftimi i Bashkisë Vlorë thekson se:
Sipas raportimit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, të hënën dhe të martën, më 17 dhe 18 nëntor, në Vlorë pritet të ketë reshje mesatare deri në zona të caktuara me intensitet më të lartë. Qytetarët këshillohen të jenë të vëmendshëm dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve kompetente.
U kërkohet gjithashtu që të evitohet parkimi i makinave në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjes.
Bashkia njofton se ekipet e terrenit do të jenë të mobilizuara për marrjen e masave parandaluese dhe do të monitorojnë situatën gjatë gjithë periudhës së reshjeve, duke ndërhyrë aty ku mund të jetë e nevojshme.

