TIRANË — Partia Lëvizje e Legalitetit (PLL) ka reaguar ashpër ndaj ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit, duke dënuar dhunën e ushtruar nga forcat e rendit ndaj qytetarëve.
Sipas deklaratës zyrtare të partisë, është e papranueshme dhe e pafalshme që qytetarë të moshuar dhe të rinj të tërhiqen zvarrë dhe të dhunohen nga strukturat policore. PLL thekson se një sjellje e tillë cenon rëndë dinjitetin njerëzor, shkel të drejtat themelore dhe minon besimin e qytetarëve te institucionet demokratike.
„Sa më e ashpër të jetë dhuna e shtetit policor mbi protestuesit, aq më i frikësuar ndihet ky pushtet i korruptuar! Sa më e ashpër të bëhet dhuna shtetërore dhe policore, aq më shumë dëshmohet frika e një pushteti përballë qytetarëve dhe zërit të tyre ngritur kohët e fundit në rrugët e Tiranës dhe sot para parlamentit,“ — thuhet në reagimin e partisë.
Në përfundim, Lëvizja e Legalitetit thekson se policia duhet t’i shërbejë vetëm ligjit dhe qytetarëve, dhe jo të përdoret si instrument dhune apo presioni politik, duke kujtuar se shteti i së drejtës ndërtohet mbi drejtësinë, përgjegjësinë dhe respektin për liritë dhe të drejtat e çdo qytetari.


