Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me Ragip Xhakën dhe përfaqësuesit e strukturave të PDK-së në Zvicër, ku u diskutua për përgatitjet dhe pritjet lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Gjatë takimit, Hamza theksoi rëndësinë e mërgatës në proceset politike dhe shoqërore të vendit, duke vlerësuar kontributin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin e Kosovës. Ai u shpreh se angazhimi i kosovarëve jashtë vendit është një forcë që kapërcen çdo distancë dhe kufi.
Hamza gjithashtu nënvizoi se mërgata mbetet një partner i pazëvendësueshëm për Kosovën, ndërsa theksoi nevojën për lidhje edhe më të forta mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.
“Kontributi i mërgatës tejkalon çdo distancë dhe kufi. Është nder të bashkëpunojmë me njerëz që gjithmonë e kanë zemrën te Kosova”, ka theksuar ai.
Takimi u mbyll me zotimin për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për të angazhuar mërgatën në proceset vendimmarrëse të vendit.

