Për herë të parë, veshjet tradicionale shqiptare shkëlqyen në paradën e “Oktoberfest” në Mynih

Një moment historik për kulturën shqiptare u shënua sot në zemër të Gjermanisë, në festivalin më të madh popullor në botë, “Oktoberfest”, që zhvillohet çdo vit që prej vitit 1810 në Mynih. Për herë të parë në historinë e këtij eventi prestigjioz, veshjet tradicionale shqiptare u prezantuan në mënyrë madhështore në paradën e famshme “Trachten- und Schützenzug”, ku marrin pjesë rreth 9 mijë pjesëmarrës nga e gjithë Evropa, të veshur me kostume historike e kulturore.

Ky sukses u realizua falë përkushtimit të Shoqatës Kulturore “Iliria München”, e cila prej 25 vitesh promovon kulturën shqiptare në Bavari. Me mbështetjen e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, një grup prej 40 anëtarësh shqiptarë, të veshur me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësuan me dinjitet trashëgiminë kulturore të vendit.

Xhubleta, veshja ikonike shqiptare mbi 4000-vjeçare dhe e njohur nga UNESCO si pasuri e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, udhëhoqi përfaqësimin shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare.

Nën flamurin e Shqipërisë, parakaloi Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bavari, Gentiana Mburimi, e veshur me kostumin karakteristik të grave të Jugut. Krah saj, nën flamurin e Kosovës, parakaloi Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në një moment simbolik bashkimi kulturor.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT