Përplasje e dhunshme në Tiranë, Gent Progni: Më goditën me grusht, shefi i “Shqiponjave” na shau! Ja pse ia mbushëm makinën me vezë Erion Braçes!

Në protestën e 31-të radhazi përpara Kryeministrisë, eksperti i IT-së, Gent Progni, ka denoncuar incidentet e ndodhura gjatë ditës në protestën para Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për sjellje të dhunshme dhe provokuese ndaj protestuesve.

 

Progni sqaroi se gjesti i hedhjes së vezëve drejt automjetit të deputetit Erion Braçe ishte një reagim i protestuesve ndaj premtimeve të pambajtura të këtij të fundit gjatë fushatës zgjedhore. Ai e cilësoi Braçen si “mashtrues ordiner” dhe deklaroi se veprimi ishte një përgjigje ndaj politikave të dështuara në sektorin e naftës, TVSH-së dhe çmimeve të ushqimeve.

Lidhur me përplasjen me forcat e rendit, Progni hodhi poshtë pretendimet se protestuesit kishin sulmuar të parët. Sipas tij, janë efektivët e policisë ata që kanë provokuar dhe sulmuar qytetarët. Progni veçoi rolin e shefit të forcave “Shqiponja”, për të cilin tha se i ka shtyrë dhe sharë protestuesit në mënyrë të pajustifikuar.

Ai deklaroi se goditja me grusht që mori gjatë përplasjes ishte një sulm simbolik ndaj gjithë lëvizjes protestuese. Progni theksoi se, pavarësisht provokimeve dhe dhunës së ushtruar ndaj tij, ai zgjodhi të përgjigjej vetëm me një vezë, duke u shprehur se kjo tregon kulturën e protestuesve përballë arrogancës së policisë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT