Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve Agron Nezaj dhe Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës Bashkim Spahiu, realizuan dje me 16.07.2026 një vizitë në fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër të Drenasit, vende ku gjatë luftës u kryen disa nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare.
Në këto dy lokalitete, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan mizorisht 82 civilë të pambrojtur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, prej tyre 23 viktima në Abri të Epërme dhe 59 viktima në Poklekun e Vjetër.
Gjatë vizitës, delegacioni institucional u takua me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli, të cilët ndanë dëshmitë dhe rrëfimet e tyre për ngjarjet tragjike. Drejtori Hoxha me përfaqësuesit tjerë institucionalë shprehën solidaritetin me familjet dhe ritheksuan angazhimin e përbashkët për zbardhjen e plotë të këtyre krimeve makabre dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Policia e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar që, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe institucionet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit, të vazhdojë me intensitet hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Pavarësisht kohës së kaluar, çdo dëshmi dhe çdo informacion trajtohet me seriozitet të lartë, me synimin që përgjegjësit e këtyre krimeve të identifikohen, të ndiqen penalisht dhe të përballen me drejtësinë.


