Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë aleancë si themel të shtetësisë dhe të ardhmes së vendit.
Në një deklaratë nga Presidenca, Osmani thekson se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm diplomatik, por edhe ekzistencial për identitetin shtetëror dhe kombëtar të Kosovës. Ajo shpreh keqardhje dhe shqetësim për vendimin e SHBA-ve, duke nënvizuar se Dialogu Strategjik, i iniciuar nga Presidentja në vitin 2021, është një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Amerikës.
Deklarata thekson se Presidentja Osmani do të vazhdojë të punojë ngushtë me SHBA-të në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, demokratizimin e vendit, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i bashkëpunimit tonë me SHBA-të. Presidenca do të angazhohet maksimalisht që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”, përfundon deklarata e Osmanit.