Prishtina dhe Tirana nisin bashkëpunimin për municione dhe drone luftarakë

Kosova dhe Shqipëria po hedhin hapa konkretë drejt një bashkëpunimi të ngushtë në industrinë e mbrojtjes, duke synuar bashkëprodhimin e pajisjeve ushtarake dhe prokurimin e përbashkët të sistemeve të armatimit. Gjatë një takimi në Prishtinë, ministrat e mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Ermal Nufi, theksuan se ky partneritet synon rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave të tyre dhe forcimin e sigurisë rajonale. Ky bashkëpunim mbështetet edhe në marrëveshjen trepalëshe me Kroacinë, e cila shërben si bazë për prokurime dhe zhvillime teknologjike të përbashkëta.

 

Në aspektin praktik, Kosova ka nisur projektin për fabrikën e municioneve në Jahoc të Gjakovës (në bashkëpunim me kompaninë turke MKE), e cila pritet të nisë prodhimin në fund të vitit 2026. Nga ana tjetër, Shqipëria ka autorizuar hapat e parë për prodhimin e dronëve luftarakë dhe riparimin e mjeteve lundruese ushtarake. Sipas ministrit Nufi, këto impiante nuk janë vetëm qendra të zhvillimit teknologjik, por edhe simbole të bashkëpunimit vëllazëror që garantojnë kapacitetet mbrojtëse të të dyja vendeve.

Ky forcim i raporteve ushtarake është pritur me kritika nga Serbia, ku presidenti Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar si një “aleancë ushtarake” drejtuar kundër vendit të tij. Megjithatë, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi i kanë mohuar këto pretendime, duke argumentuar se bashkëpunimi është tërësisht në funksion të paqes dhe standardeve të NATO-s. Ndërkohë, pyetjeve mbi armatosjen e Serbisë me sisteme kineze, ministri Nufi iu përgjigj duke theksuar se çdo shtet përcakton vetë doktrinat e tij të sigurisë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT