Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione miratoi me 6 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim projektligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2026.
Gjatë diskutimeve, deputetët ngritën shqetësime për mungesën e kohës në shqyrtimin e buxhetit dhe nevojën për amendamente. Sala Jashari nga PDK kërkoi rritje të pensioneve për veteranët, pensionistët e pleqërisë dhe personat me aftësi të kufizuara, duke theksuar se ato janë shumë larg pagës minimale prej 425 euro.
Albana Bytyqi nga AAK propozoi një amendament për mbështetje të personave me autizëm, të cilët aktualisht nuk përfitojnë nga skemat sociale. Ndërkohë, Salih Zyba nga Vetëvendosje theksoi se buxheti duhet të shqyrtohet brenda afateve të përshpejtuara dhe se ndryshimet ligjore për kategoritë e veçanta do të trajtohen në seanca të tjera.
Projektligji për buxhetin 2026 pritet të kalojë në lexim të dytë në Kuvend, ku deputetët do të kenë mundësinë të paraqesin amendamente për rritjen e mbështetjes sociale dhe përmirësimin e skemave ekzistuese.


