Qendra për Menaxhimin e Krizave vazhdon me aktivitetet edukative në shkollat fillore në vend

Në kuadër të fushatës edukative të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, përmes qendrave rajonale, në periudhën e kaluar u realizuan prezantime edukative për nxënësit e shkollave fillore në Resnjë, Dibër, Kavadar, Radovish dhe Demir Hisar.
Qëllimi i aktivitetit ishte njohja e nxënësve me rolin dhe kompetencat e Qendrës për Menaxhimin e Krizave, si dhe me mënyrën e duhur të veprimit në raste zjarri, tërmeti dhe rreziqeve të tjera.
Gjatë prezantimit, nxënësit u informuan për:
• sistemin e menaxhimit të krizave,
• mënyrën e përdorimit të numrit për raste emergjente 112,
• sjelljen e duhur në situata të ndryshme krize,
• rëndësinë e reagimit të qetë dhe të përgjegjshëm.
Prezantimi u realizua nga punonjësit e qendrave rajonale dhe stafi arsimor i shkollave fillore.
Aktiviteti ishte interaktiv, ku nxënësit morën pjesë aktive me pyetje dhe diskutime, duke treguar interes për temat që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.
Gjithashtu, u realizua një anketë me nxënësit për njohuritë e tyre mbi numrat e emergjencës për policinë, ndihmën e shpejtë mjekësore, zjarrfikësit dhe NP “Rrugët e Maqedonisë”.
Qendra për Menaxhimin e Krizave i kushton theks të veçantë edukimit të më të rinjve, duke e konsideruar atë prioritet në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të përgatitur. Përmes këtyre aktiviteteve kontribuohet në zhvillimin e vetëdijes, përgjegjësisë dhe shprehive të duhura tek nxënësit që në moshë të hershme, me qëllim reagimin e tyre në kohë dhe në mënyrë adekuate në situata të mundshme krize.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT