Qeveria sjell ndryshime në vendimin nr. 478 për sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm

Qeveria ka ndryshuar vendimin ekzistues mbi mbrojtjen personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Sipas vendimit të ri, këta zyrtarë do të shoqërohen me truproje të nivelit bazë dhe të mesëm gjatë gjithë mandatit, si dhe për një periudhë shtesë pas përfundimit të mandatit:

  • 2 vjet për kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe drejtorin e BKH,

  • 3 vjet për drejtuesin e SPAK.

Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshimin e vendimit nr. 478, datë 10.07.2019, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Në vendim theksohet:

“Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 vjet pas përfundimit të tij.
Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 vjet pas përfundimit të tij.”

Ky ndryshim synon të sigurojë mbrojtje të vazhdueshme për zyrtarët e institucioneve kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar sigurinë e tyre gjatë dhe pas mandatit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT