Raporti i QMK: Bodrumet nën ujë, shkëmbinjtë bllokojnë rrugët.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka lëshuar një paralajmërim pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut që përfshinë vendin deri mbrëmë në orën 21:00. Situata paraqitet problematike në disa rajone, ku si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, disa lumenj kanë dalë nga shtrati. Kjo ka çuar në përmbytjen e objekteve të banimit, bodrumeve dhe sipërfaqeve të mëdha të tokës bujqësore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

 

Përveç vërshimeve, reshjet kanë shkaktuar probleme serioze edhe në infrastrukturën rrugore. Janë raportuar rrëshqitje të dheut dhe rrëzime të shkëmbinjve në disa akse rrugore, duke vështirësuar ose bllokuar qarkullimin. QMK njofton se ekipet në terren po monitorojnë situatën me kujdes të shtuar për të ndërhyrë në pikat më kritike ku rrezikohet siguria e qytetarëve dhe pronave të tyre.

Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo problem apo nevojë për ndihmë në numrin unik të emergjencave 112. Një njoftim i ri me të dhënat më të fundit nga terreni pritet të dalë së shpejti, ndërkohë që qytetarëve u këshillohet të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga vërshimet dhe rrëshqitjet.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT