Shkruan Avni Osmani:
Reality show-t kanë pushtuar ekranet tona vitet e fundit, por pyetja që shtrohet natyrshëm është: A kemi realisht nevojë për to ne si shoqëri?
Duke marrë shembull përvojën e emigrantëve shqiptarë nga Shqipëria , Maqedonia e Veriut Kosova etj shumë prej nesh e kanë ndjekur që në vitet 2000 formatin Big Brother në Angli, Gjermani , “Grande Fratello” në Itali., bile edhe unë nga viti 2005 kur isha në Itali. Në atë kohë, shtëpia e famshme kishte një imazh krejt tjetër: banorë të përvuajtur, njerëz me histori të vështira, jetimë, persona të thjeshtë që kërkonin një mundësi për të ndryshuar jetën. Loja zhvillohej mbi vlera njerëzore – krijoheshin miqësi të sinqerta, lidhje dashurie dhe, më pas, shumë prej tyre arrinin të bëheshin aktorë, moderatorë apo këngëtarë kuptohet falë talentit dhe prirjeve që i kishin.
Por me kalimin e viteve, gjithçka ndryshoi. Reality shou-t në Itali u degjeneruan: u mbushën me protagonistë që vinin kryesisht për provokim, me skena erotike, me lakuriqësi dhe me personazhe që kërkonin vetëm famë të çastit. Publiku italian – sidomos pjesa më familjare – nisi t’ua kthejë shpinën duke i konsideruar si produkte që cënojnë moralin dhe kulturën e shoqërisë.
Shqipëria e mori formatin thuajse identik, ndërsa së fundmi edhe Kosova ndjek të njëjtën rrugë. Por a jemi ne si shqiptarë të përgatitur për këto kopje formatesh?
Në kulturën dhe traditën tonë, familja është e shenjtë. Ende sot, fëmijët nuk kanë komoditetin e telekomandës përpara prindërve; ata nuk mund të shikojnë skena vulgare, të turpshme, fyerje apo lakuriqësi . Ende ekziston respekti, sedra e morali. Fëmijët pra adoloshentët imitojnë gjithçka që u servohet, sepse modeli televiziv për ta është normë.Ndërkaq fatkeqësisht mund të themi se ka njerëz, familje “moderne” që u duket normale kjo dhe e kanë legalizuar edhe para fëmijëve adoloshentë.
Ka nxënës , studentë e punëtor që ndjekin reality shou-t deri në orët e vona, duke sakrifikuar gjumin, përqendrimin në mësime dhe performancën në punë. Në këtë kontekst, pyetja bëhet edhe më e natyrshme:
Pse organizohen realisht këto formate? Kush fiton dhe çfarë fshihet pas gjithë kësaj katrahure?
Sigurisht, fituesit kryesorë janë televizionet , produksionet dhe platformat që kërkojnë klikime , shikime dhe përfitime financiare. Por ndërkohë humb vlera, humbet kultura, humbet edukata. Shoqëria jonë përballet me plot sfida – ekonomike, sociale, arsimore – dhe këto formate shpesh nuk na ndihmojnë të ecim para, por vetëm ti harrojmë përkohësisht problemet.
A vijnë reality shou-t për të na argëtuar apo për të na denigruar si shoqëri?
Kjo mbetet një pyetje dhe dilemë e hapur. Por ajo që duket e qartë është se televizionet shqiptare kanë nevojë për më shumë emisione edukative, kulturore, shkencore, fetare dhe sociale. Jo për produkte që shiten për disa klikime, duke sakrifikuar vlerat, dinjitetin dhe moralin e shqiptarëve.
Një shoqëri që ushqehet çdo ditë me banalitet, me anti vlera me gjëra bajate e nudo, nesër do të kërkojë vetëm banalitet, anti vlera e gjëra të pahijshme.
Nëse duam ndryshe, duhet të kërkojmë , të mendojmë dhe të gjykojmë ndryshe.Modelin e Evropës ta marrim në arsim, punë , precizitet , zbulim e zhvillim. Torten e ardhmërisë e kemi në duart tona mvaret sa investojmë dhe si e gatuajmë , çfarë ofrojmë dhe me çfarë shije e kremi e dekorojmë.
Të mendojmë sot për ardhmërinë tonë se nesër mund të jetë vonë…

