Në kuadër të fushatës zgjedhore, kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga Koalicioni VLEN, Bilall Kasami, ka zhvilluar takime të mëdha me banorët e Reçicës së Madhe dhe të lagjes Teteks 1, ku u shpalosën punët e realizuara gjatë mandatit të parë dhe planet për katërvjeçarin e ardhshëm.
Në Reçicën e Madhe, Kasami u prit nga një numër i madh qytetarësh, duke theksuar se kjo lagje është dëshmi e përkushtimit të ekipit të tij për ta çuar Tetovën përpara.
“Kënaqësi t’i takoj banorët e Reçicës së Madhe, ku prezantova punët që janë bërë dhe planet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Prezenca e madhe në këtë tubim na jep sigurinë se Tetova e ka kuptuar se ka vetëm një opsion që ia do të mirën këtij qyteti,” deklaroi Kasami.
Ndërsa në Teteks 1, atmosfera ishte e mbushur me entuziazëm dhe mesazhe fitoreje. Kasami kujtoi se kjo lagje është transformuar gjatë mandatit të tij të parë, njësoj si shumë zona të tjera të qytetit.
“Fitore e madhe më 19 tetor, sepse nuk ka rrugë tjetër për Tetovën. Vazhdojmë përpara dhe nuk kthehemi më asnjëherë në të kaluarën e zymtë të shkatërrimit,” theksoi ai.
Tubimet në Reçicën e Madhe dhe Teteks 1, sipas përfaqësuesve të VLEN-it, konfirmojnë mbështetjen e gjerë qytetare për vazhdimësinë e projekteve zhvillimore që kanë transformuar Tetovën.