Rrëshqitje në rrugën e Arbrit, firma vendos një gur në vend të sinjalistikës
Reshjet e fundit të shiut kanë dëmtuar një pjesë e rrugës së Arbrit në afërsi të tuneleve në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër, në bashkinë Klos. Sikurse shihet nga pamjet filmike, rrëshqitja argjinaturës ka mbërritur deri në karrexhatën e rrugës së Arbrit, si pasojë e ujit në rrugë.
Shkak për këtë, sipas specialistëve, është mosndërtimi i argjinaturave mbrojtëse nga ana e ndërtuesit të rrugës, pasi në ditët me shi, prurjet në zallin e Murrizes shtohen ndjeshëm.
Një tjetër arsye e dëmtimit të rrugës së Arbrit në këtë segment, sipas specialistëve, është edhe terreni në të cilin është ndërtuar, pasi është vendosur në bazament me formacion të butë. Kjo e bën atë më pak rezistente nga vërshimi i ujit të shiut që nis që nga Qafa e Murrizit.
Siç duket nga pamjet, traseja e rrugës së Arbrit vijon të shembet vazhdimisht, ndihmuar edhe nga reshjet e shiut.
Drejtuesit e mjeteve që përdorin rrugën e Arbrit thonë se kjo shembje përbën rrezik për ta, sidomos gjatë natës në mungesë të sinjalistikës paralajmëruese dhe orientuese, pasi mungojnë dhe mbrojtëset metalike. Në vend të tyre, firma ndërtuese e rrugës së Arbrit ka vendosur vetëm një gur.
Në të gjithë segmentin e Xibrit të rrugës së Arbrit,nga tuneli i Murrizit e deri tek tunelet në fshatin Shkallë, nuk është ndërtuar argjinaturë mbrojtëse nga vërshimi i ujërave të zallit të Murrizes, ç’ka vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e saj në vijimësi.