Sanksione të reja për Dodikun: Sllovenia e bllokon hyrjen

Qeveria e Sllovenisë i ka ndaluar hyrjen Millorad Dodikut, liderit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. Arsyeja nuk është bërë e ditur, por zyrtarët e Sllovenisë e kanë cilësuar si një “sekret”. Vendimin e bëri të ditur pas mbledhjes së ekzekutivit zëvendëskryeministri Matej Arqon.

Dodik, në fillim të gushtit, u dënua me vendim të formës së prerë me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në Bosnje e Hercegovinë për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare, Christian Schmidt. Pas aktgjykimit, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës ia hoqi mandatin e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska.

Që nga prilli i këtij viti, Dodikut i është ndaluar hyrja edhe në Austri dhe Gjermani për shkak të veprimeve secesioniste dhe minimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Procedura për ndalim hyrjeje kanë nisur edhe Polonia dhe Estonia, ndërsa deputetët e Parlamentit Evropian kërkuan sanksione për shkak të “retorikës përçarëse dhe politikës secesioniste”. Megjithatë, Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur harmonizim për shkak të kundërshtimit të liderit hungarez Viktor Orban.

Dodik dhe disa zyrtarë të Republikës Sërpska gjenden gjithashtu në listat e sanksioneve amerikane dhe britanike që nga viti i kaluar, për shkak të cenimit të integritetit të Bosnjës dhe veprimeve që hidhnin poshtë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë. Sanksionet përfshijnë ndalimin e transaksioneve financiare me Dodikun, familjarët e tij dhe kompanitë e lidhura me ta.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT