Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Studeniçanit, Sedat Bislimi, ka reaguar ndaj tymit të zi që sot doli nga deponia e Drisllës, duke e cilësuar atë si dëshminë më të qartë të papërgjegjësisë institucionale të qytetit të Shkupit dhe të mungesës së veprimit serioz nga udhëheqësit lokalë gjatë 29 viteve të fundit.
Sipas tij, banorët e Batincës dhe zonave përreth me mbi 10 mijë banorë, helmohet çdo ditë nga kjo deponi që nuk i plotëson as standardet më elementare, ndërsa udhëheqësit e kaluar kanë dështuar të kërkojnë zgjidhje dhe kanë shfrytëzuar problemin për interesa personale.
“Ne si ekip i VLEN tashmë kemi njoftuar Ministrinë e Ekologjisë që sa më shpejt të dalin ekipet në terren dhe të analizojnë gjendjen. Ky është hapi i parë konkret drejt zgjidhjes,” theksoi Bislimi.
Ai shtoi se në programin e VLEN-it është paraparë që territori i Komunës së Studeniçanit të bëhet pjesë e komunave të qytetit të Shkupit ose që një pjesë e kompetencave mbi deponinë t’i kalojnë vetë Komunës së Studeniçanit.
“Sepse vetëm ne, që jetojmë këtu, e ndjejmë çdo ditë këtë helm dhe e dimë sa e rëndë është kjo padrejtësi. Jemi të vendosur t’i japim fund këtij abuzimi dhe për herë të parë të kërkojmë zgjidhje reale e të qëndrueshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë,” u shpreh Bislimi.

