Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, viziton Kosovën për herë të parë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën më 11 mars 2025, për herë të parë që kur ka marrë postin. Lajmin e ka konfirmuar NATO përmes një komunikate për media, ku thuhet se gjatë vizitës, Rutte do të vizitojë KFOR, misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë, si dhe Ekipin e Këshilltarëve dhe Lidhësve të NATO-s (NALT).
Gjatë vizitës, Rutte do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa do të zhvillojë një shkëmbim mendimesh me drejtuesit e misioneve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së. Po ashtu, ai do të takojë komandantin e KFOR-it, gjeneral Major Enrico Barduani, dhe drejtorin e NALT-it, Brigadier General Christian Nawrat.
Vizita vjen disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, ndërsa Rutte ka deklaruar se pret formimin e një qeverie stabile dhe funksionale sa më shpejt të jetë e mundur. Ai theksoi se NATO-ja do të punojë me çdo qeveri që do të udhëhoqë vendin dhe se stabiliteti i Kosovës, Bosnjës dhe Serbisë është një çështje e rëndësishme për organizatën.
NATO ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë dhe angazhimi i saj në rajon mbetet një faktor kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, veçanërisht për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë.