Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një vizite pune, me qëllim ndërkombëtarizimin e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe denoncimin e shkeljeve të të drejtave të tyre.
Në këtë vizitë, e koordinuar me përfaqësues të tjerë nga Lugina, mes tyre Ragmi Mustafi dhe Ragmi Mustafa nga PDSH-ja, janë paraparë takime me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, përfshirë Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve; Cory Booker, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit; dhe George Latimer, anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut “Tom Lantos”. Delegacioni gjithashtu do të takohet me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan në Dallas dhe Nju Jork.
Kamberi ka rikujtuar se kjo vizitë vjen katër muaj pas asaj të suksesshme në Berlin, ku delegacioni pati takime në Bundestag dhe në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, duke vazhduar përpjekjet për të mbajtur çështjen e Luginës në vëmendjen ndërkombëtare.
Në fund, deputeti falënderoi Qeverinë e Kosovës, Albanian American Civic League, Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) dhe WIAI, për mbështetjen në përforcimin e zërit të shqiptarëve të Luginës në SHBA.

