SHBA nënshkruan tërheqjen: Administrata Trump ndërpret mbështetjen për 66 organizata globale.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të pezulluar mbështetjen dhe financimin për 66 organizata, agjenci dhe komisione ndërkombëtare. Në listën e institucioneve të prekura përfshihen agjenci kyçe të Kombeve të Bashkuara që merren me klimën, popullsinë dhe të drejtat e punës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky vendim vjen pas një rishikimi që i cilëson këto organizata si të keqmenaxhuara, shpërdoruese dhe promovuese të agjendave që bien ndesh me interesat dhe sovranitetin amerikan.

 

Ndër tërheqjet më domethënëse është largimi nga Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), baza e Marrëveshjes së Parisit, si dhe ndërprerja e bashkëpunimit me agjencinë e OKB-së për shëndetin riprodhues. Administrata Trump ka deklaruar se SHBA do të përqendrojë burimet e saj vetëm në ato nisma ku mund të forcojë ndikimin e saj drejtpërdrejt, veçanërisht në fushat ku ekziston konkurrencë e fortë me Kinën, si telekomunikacioni dhe teknologjia detare.

Ekspertët ndërkombëtarë e shohin këtë lëvizje si një rrezik për bashkëpunimin global, duke paralajmëruar se tërheqja amerikane mund të nxisë shtetet e tjera të ulin angazhimet e tyre për sfidat globale si mjedisi dhe të drejtat e njeriut. Ndërkohë që organizatat joqeveritare po paralajmërojnë mbylljen e shumë projekteve për shkak të shkurtimit të ndihmave nga USAID, Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se rishikimi i pjesëmarrjes amerikane në organizata të tjera është ende në proces.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT