Janari pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në karrierën e Arbër Hoxhës. Anësori i Kombëtares së Shqipërisë ka hyrë fuqishëm në radarin e klubeve angleze, me Sheffield United dhe Hull City që po garojnë për firmën e 27-vjeçarit.
Sipas “Sportsboom”, të dy klubet angleze janë gati të paraqesin oferta konkrete në merkaton e dimrit, ndërsa paraqitjet e Hoxhës me Dinamo Zagrebin dhe Kombëtaren kanë rritur ndjeshëm interesin për të. Sheffield United shihet me një avantazh të lehtë falë mundësive më të mëdha financiare, faktor që mund të ndikojë në bisedimet përfundimtare.
Hull City, megjithatë, ka një armë të fortë: trajnerin Sergej Jakirovic. Kroati ka punuar më parë me Hoxhën te Dinamo Zagrebi, ku anësori zhvilloi 31 ndeshje, shënoi 4 gola dhe dha 3 asistime nën drejtimin e tij. Jakirovic ka tentuar ta transferojë edhe gjatë periudhës në Kayserispor dhe po synon të shfrytëzojë marrëdhënien e tyre të ngushtë për ta bindur që t’i bashkohet në Championship.
Megjithëse Dinamo Zagrebi nuk e ka nxjerrë lojtarin në shitje dhe i ka rinovuar kontratën deri në vitin 2029, paga relativisht e moderuar e Hoxhës – rreth 500 mijë euro në vit – e bën atë një objektiv të arritshëm për klubet angleze.

