Shkarkime masive në HRT, më shumë se 800 punonjës do të mbesin pa punë

Përgatitjet për hartimin e Ligjit të ri për Radio Televizionin e Kroacisë (HRT) do të fillojnë pas miratimit të planit për konsolidimin e HRT, që pritet të ndodhë në shkurt, konfirmuan nga Ministria për Kulturë dhe Media e Kroacisë.

Nga Ministria theksojnë se plani i konsolidimit ka për qëllim arritjen e objektivave teknologjikë, si zhvillimi i një platforme të re mediatike, dhe objektivave programatikë, si vendosja dhe mbajtja e standardeve profesionale.

“HRT duhet të nxisë përdorimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja, të zhvillojë një platformë mediatike të re për të qenë relevante për të gjitha brezat dhe të ndjekë mjedisin digjital,” thuhet nga Ministria.

Po ashtu, HRT duhet të vendosë dhe mbajë standarde profesionale dhe editoriale, të synojë ekselencë dhe origjinalitet në çdo program që prodhon ose kërkon dhe të jetë një partner i talenteve më të mëdhenj, duke u mundësuar atyre të shprehin veten përmes platformave të tij të shumta.

“Për të arritur këtë qëllim, në kohën kur informacionet merren përmes rrjeteve sociale, është e nevojshme të sigurohen kushte për ndryshime dhe konsolidimin e punës dhe funksionimit të HRT në të gjitha segmentet,” thonë nga Ministria.

Përpara miratimit të planit për konsolidimin e biznesit dhe punës në HRT, Ministria për Kulturë dhe Media iu referua dokumentit strategjik “Drejtimi i Ri”, i cili u paraqit nga drejtoria e HRT në mars të vitit të kaluar. Në këtë dokument thuhet se gjatë vitit 2025 dhe 2026 do të jetë e nevojshme të reduktohet numri i punonjësve me 30%.

Me fjalë të tjera, drejtuesit e HRT njoftuan se do të bëhen shkarkime për më shumë se 800 nga 2,700 punonjësit aktualë, duke e shënuar këtë si hapin e parë në bashkëpunim me qeverinë, publikun, opinionin më të gjerë, punonjësit dhe sektorin krijues, shkruan Index.hr.

Në pyetjen nëse Ministria ka rënë dakord me drejtuesit e HRT për këtë dokument strategjik dhe nëse po mendohet për shkarkime punonjësish, duke përfshirë numrin e personave dhe pagesat e kompensimeve, Ministria u përgjigj se drejtuesit e HRT e kanë përgatitur dhe miratuar dokumentin e përmendur.

Sipas informacioneve jozyrtare, vendimi për shumën e kompensimeve të shkarkimit, i marrë në fillim të janarit nga drejtori ekzekutiv Robert Švab, parashikon një shumë maksimale për kompensime deri në 90,000 euro bruto për punonjës.

Punonjësit që plotësojnë kushtet për kompensim duhet të kenë të paktën pesë vjet eksperiencë pune në HRT, nuk duhet të jenë të nevojshëm për zëvendësim dhe duhet të kenë të paktën 24 muaj deri në mbushjen e 65 vjeç. Afati për zbatimin e këtij vendimi është 31 mars 2025.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights