Zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër kanë shënuar një tjetër vit rekord vizitash, duke tërhequr mbi 920 mijë turistë vetëm gjatë periudhës janar–gusht 2025.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha, deklaroi se 550 mijë vizitorë ishin vendas dhe 370 mijë të huaj, çka përbën një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Parku Kombëtar i Alpeve ka qenë destinacioni më i frekuentuar, me 378 mijë turistë, të cilët kanë eksploruar Valbonën, Thethin, Vermoshin, Bogën dhe lumin e Gashit. Vetëm në gusht, Thethi ka pritur deri në 4 mijë vizitorë në ditë, kryesisht nga jashtë vendit.
Këtë vit, një risi që ka tërhequr vëmendje është zipline në Theth, e cila u ofron turistëve një eksperiencë të veçantë për të shijuar nga ajri bukuritë e parkut.
Sipas Dardhës, shtatori ka vazhduar me fluks të lartë vizitorësh falë motit të ngrohtë, veçanërisht në Theth, luginën e Shalës dhe liqenin e Shkodrës.
Ai apeloi që vizitorët të udhëtojnë gjithmonë të shoqëruar nga guida, për të shmangur aksidente që, siç tha, nuk kanë munguar as këtë vit.
Me pasuritë natyrore dhe historike që zotëron, Shkodra mbetet një prej pikave më të rëndësishme të turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.