Shkruan Agron Shaqiri: Mjeshtria e Manipulimeve dhe Inxhinieria Politike e BDI-së

Shkruan Agron Shaqiri
Në politikë, besueshmëria nuk matet me fjalë boshe, por me veprime konkrete. Nuk mund të shfaqesh si opozitë e drejtësisë dhe transparencës, kur duart i ke të zhytura në marrëveshje të errëta që kanë kapur shtetin për më shumë se dy dekada.
Sot, BDI dhe i gjithë koalicioni i saj përpiqen të shiten si reformatorë, si mbrojtës të drejtësisë, si njerëz që luftojnë për barazi dhe të drejtat e shqiptarëve. Por shqiptarët i njohin mirë. I njohin si arkitektët e lojërave të pista politike, si ata që kanë mbajtur gjallë një sistem të kalbur, si ata që kanë bërë pakt me çdo pushtet vetëm për ta ruajtur veten.
Le t’u japim mundësinë të tregojnë moral. Le të dalin e të thonë publikisht: Kush ia mundësoi Nikolla Gruevskit intervistën për gazetën serbe Politika në tetor të vitit 2023? Kush e shpërndau PDF-in e kësaj gazete nëpër media të caktuara? Nuk ishte një gabim. Nuk ishte një rastësi. Ishte një skemë e mirëmenduar. Një mesazh i koduar i dërguar në kohën e duhur, për ta përgatitur terrenin. Për kë? Për Gruevskin. Për kthimin e tij.
Por intervista nuk ishte mjeti i vetëm. Pse u ndryshua Kodi Penal? Për të mirën e qytetarëve? Për drejtësi? Jo. Ai u ndryshua me një qëllim të qartë: për ta shpëtuar Gruevskin dhe të tjerët si ai nga pasojat e krimeve të tyre. Për t’i dhënë garanci atij dhe të ngjashmëve me të që mund të ktheheshin pa frikë nga ndëshkimi. Dhe kush e ndryshoi këtë kod penal? Pikërisht ata që sot pretendojnë se janë opozita morale e vendit!
E njëjta strukturë politike që i shërbeu pushtetit të Gruevskit për vite me radhë, sot na del e pastër dhe kërkon të rikthehet. Po cili ishte roli i tyre në tentativën për krijimin e një partie të re nga Danella Arsovska? A ishte ky një projekt i mirëmenduar për të krijuar një pol të ri politik, për të fragmentuar skenën dhe për të garantuar vazhdimësinë e tyre përmes figurave të reja? Kjo nuk është teori konspirative, por një fakt politik që BDI dhe Fronti e njohin shumë mirë.
Dhe më e rëndësishmja: A kishte një ish-funksionar të BDI-së që bënte pazarllëqe mes Shkupit dhe Budapestit? A ishte ky njeri hallka lidhëse mes një të kaluare të kriminalizuar dhe një projekti të ri për ta ricikluar të njëjtin sistem? Sepse shqiptarët nuk kanë kujtesë të shkurtër. Ata nuk harrojnë se si BDI ishte pjesë e çdo loje, e çdo skenari që mbante në pushtet një elitë të korruptuar, që negocionte pas krahëve të qytetarëve, që shfrytëzonte interesin kombëtar për interesat personale.
Tani, pas gjithë këtyre skandaleve, ata dalin dhe flasin për moral? Flasin për drejtësi? Flasin për ndershmëri? Nuk mund të kritikosh të tjerët për diçka që ti vetë e ke bërë për vite me radhë. Nuk mund të shesësh drejtësi kur ke qenë vetë themeli i një sistemi të padrejtë. Nuk mund të pretendosh se je i pastër kur ke ndërtuar marrëveshjet më të pista politike në historinë e këtij vendi.
Para se të flasin për të tjerët, le të japin përgjigje për këto pyetje. Përndryshe, çdo fjalë e tyre është një mashtrim i radhës, një tentativë për të mbuluar të kaluarën e tyre të errët me premtime boshe për të ardhmen. Por shqiptarët nuk mashtrohen më. Ata e dinë se kush i ka shërbyer sistemit dhe kush po lufton për ta shembur atë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights