Nën ndikimin e një cikloni të fuqishëm që vjen nga rajoni i Xhenovës, si edhe të masave të ftohta ajrore nga veriu, Maqedoninë gjatë fundjavës e pret një ndryshim i theksuar i motit. Të dielën, më 23 nëntor, pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave shoqëruar me reshje të dendura shiu në shumë zona të vendit.
Meteorologët paralajmërojnë se prurjet e shiut mund të jenë të mëdha, me mbi 35 litra për metër katror në disa rajone, ndërsa lokalisht reshjet do të marrin karakter rrebeshesh të fuqishme, të shoqëruara me erë të fortë nga jugu dhe mundësi për bubullima. Në disa zona priten edhe kushte për stuhi të izoluara.
Edhe në Shkup dhe rrethinë, gjatë fundjavës do të ketë reshje të shpeshta, që herë pas here do të jenë më të fuqishme dhe me erë të fortë jugore. Me hyrjen e ajrit të ftohtë, gjatë natës drejt së dielës dhe ditën e diel, mbi lartësinë 1200 metra reshjet e shiut pritet të kthehen në borë dhe të formohet shtresë dëbore.
Temperaturat ditore do të bien ndjeshëm, duke u luhatur nga 5 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa në Shkup pritet që maksimumi të mos kalojë 10 gradë.
Për shkak të reshjeve të reja të dendura, parashikohen rritje të prurjeve të lumenjve dhe liqeneve në vend, çka mund të sjellë rrezik për përmbytje në disa zona. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet pranë shtratit të lumenjve dhe zonave të prekshme nga vërshimet.

