Takimi i Kryetarit Gashi me ambasadorin e sapoemëruar italian, Palminteri
Kryetari e uroi ambasadorin Palminteri për funksionin e ri ambasador dhe i uroi mandat të suksesshëm. Duke theksuar se dy vendet vitin e kaluar shënuan 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të cilat karakterizohen si marrëdhënie tradicionalisht të mira dhe miqësore, me dialog aktiv politik dhe bashkëpunim dinamik, Kryetari Gashi nënvizoi se ato janë duke u përmirësuar dhe thelluar vazhdimisht si në planin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral.
Kryetari Gashi iu referua edhe të dy rezolutave me të cilat Parlamenti i Italisë “e detyron Qeverinë e Italisë që të riafirmojë dhe mbështesë iniciativat për integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike, në të gjitha nivelet” të miratuara nga Dhoma e Deputetëve e Republikës së Italisë në vitin 2021.
Ambasadori Palminteri e njoftoi Kryetarin Gashi për zhvillimet aktuale në Republikën e Italisë. Ambasadori Palminteri nënvizoi se në fokus të mandatit të tij do të jetë thellimi i bashkëpunimit bilateral në të gjitha nivelet, duke përcjellë mbështetjen e Republikës së Italisë për integrimin evropian të vendit tonë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha nivelet, me theks të veçantë në diplomacinë parlamentare.